Articles Comments

Fjala e Lire » Featured » Duke e rrasur këtë popull në borxh deri ne gryke

Duke e rrasur këtë popull në borxh deri ne gryke

Ekonomia Shqiptare

Ekonomia Shqiptare

Këto ditë zëvendësi i Berishës në Kryeministri ka intensifikuar thirrjet për opozitën, që ajo të bashkëpunojë për Kodin Zgjedhor dhe për ligjet që duan shumicë të cilësuar. Ai nuk harron të sqarojë e të qajë hallin e opozitës se me veprimet e saj i bën keq vetes e integrimit dhe jo qeverisjes, pasi, sipas tij, zgjedhjet lokale do të zhvillohen, do apo nuk do opozita. Se si duhet bashkëpunuar, të marrin shembullin e tij që bashkëpunon “hijshëm”. (Gjuha vete ku dhemb dhëmbi). Sa mirë do të ishte të bëheshin zgjedhjet lokale pa opozitën, ashtu siç u bënë ato pjesoret në pesë njësi vendore, ku Meta ishte edhe në qeverisje, edhe në opozitë me Berishën.

Pastaj përvojën e kemi, kujtoni vitin e zi 1996, kur pa opozitën PD fitoi në mjaft raste edhe mbi njëqind për qind të votave. Vijmë po të doni dhe në kohë “më moderne” në vitin 2009-të, në kohët e Rruzhdieve dhe grumbullojmë eksperiencën.

Pa marrë frymë, pa bërë pauzë, pa rënë në tokë thirrjet për bashkëpunim nxjerr “xhevahirin” tjetër nga goja: Qeverisja me 71 vota është e blinduar. Pra, “lanet” bashkëpunimi, atë e kërkojmë sa për veshët e ndërkombëtareve, ju “të dashur opozitarë” kurrë mos bashkëpunofshi se na prishni punë, jemi më rehat vetë, dimë ta miratojmë ligjin “për të kënaqur Maliqin”, dimë të zgjedhim gjyqtarë duke i votuar hapur, në dritën e diellit, dimë të ulim buxhetin sa herë të na teket, të krijojmë struktura për të mbajtur nën zap ata që duan të ngrenë zërin, eh sa dimë.

Shumëkush ndjehet keq kur dëgjon nga goja e atij që nxirrte “hasanara” kundër Berishës, apo që rrëmbente vazot e Kuvendit për t’i hedhur në kokën e kryetares, të flasë sot “për blindim të qeverisjes” dhe shtron pyetjet e panumërta:

Për çfarë blindimi e ka fjalën zoti Meta?! Mos vallë quhet “blindim” fakti që ata me 71 vota të vjedhura vazhdojnë të mbajnë karriget, vazhdojnë të marrin rrogat dhe beneficet, duke e rrasur këtë popull në borxh deri në grykë?

Vazhdojnë të privatizojnë tokë e det (deri sa t’i kthehen qiellit), vazhdojnë të gllabërojnë institucionet, të telekomandojnë gjykatat deri aty sa “të hanë” dhe kockat e 26 martirëve të Gërdecit, apo të mbështjellin me qyrkun blozë të imunitetit të pandehurit e graduar?

T’u shikojnë lezetin parave të “rrugës së shekullit”, që sipas shpenzimeve duhet të jetë shtruar me flori, të ndajnë llokmat me drejtorë, me 20 përqindëshin, një lloj i ri tenderimi, e të groposin këtë popull në çmendurinë marramendëse të rritjes së çmimeve, duke e përkundur e mikluar në djepin dërrasathyer të rritjes së pensioneve sa vlera e një pakete cigaresh?!



Written by Glan

Filed under: Featured

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.